blank

A e dini se ekzistojnë 8 lloje inteligjencash? Ne të gjthë kemi aftësi dhe fuqi të cilat mund të zhvillojmë më tej duke ditur fillimisht se cilën prej inteligjencave kemi më shumë predispozitë të zhvillojmë.

Koncepti i inteligjencës së shumëfishtë, është një teori e propozuar nga psikologu i Harvardit, Howard Gardner. Kur dëgjoni fjalën inteligjencë, koncepti i testimit të IQ mund të vijë menjëherë në mendje. Inteligjenca shpesh përkufizohet si potenciali ynë intelektual. Diçka me të cilën kemi lindur, diçka që mund të matet dhe një kapacitet që është e vështirë të ndryshohet. Duke fituar njohuri mbi mënyrën më të mirë se si secili nga ne percepton dhe kupton, ne mund të përmirësohemi në shumë mënyra.

Të gjithë jemi të ndryshëm. Truri i secilit prej nesh, percepton informacionin ndryshe. Vetëdija për këtë fakt, na lejon të ndihmojmë veten për të kuptuar stilin tonë të të mësuarit por edhe të të punuarit. Psikologët kanë arritur të evidentojnë disa lloje të ndryshme inteligjencash të cilat renditen si më poshtë:

Inteligjenca gjuhësore

Personat që kanë një inteligjencë gjuhësore, dinë të përdorin artin e fjalës. Ata shpesh janë bindës, folës dhe dëgjues të mirë. Karrierat idele për ta janë: Avokat, Folës, Politikan.

Inteligjenca logjike

Kjo inteligjence karakterizohet nga shkathtësia për të kuptuar probleme matematikore dhe numrat. Personat me këtë lloj inteligjence janë shumë të aftë dhe të saktë me numrat. Karrierat ideale për ta janë: Llogaritar, Mësues matematike, Ekonomist.

Inteligjenca interpersonale

Inteligjenca interpersonale mundëson të kuptuarit të dinamikave midis marrëdhënieve me të tjerët. Ata janë empatik dhe komunikues të shkëlqyer. Karrierat ideale për ta mund të jenë: Terapist, Psikolog, Mësues.

Inteligjenca hapësinore

Kjo lloj inteligjence tregon modele që vërtetojnë aftësinë për të menduar në tre dimensione. Njerëzit që zhvillojnë inteligjencën hapësinore janë të mirë në zgjidhjen e problemeve hapësinore si vizatimi dhe piktura, leximi i hartave, shikimi i figurave, zgjidhjen e labirinteve.

Inteligjenca trupore-kinestetike

Është aftësia për të përdorur të gjithë trupin në shprehjen e ideve dhe ndjenjave, dhe lehtësinë në përdorimin e duarve për të transformuar elementët. Fëmijët që tregojnë inteligjencë kinestetike janë të mirë në vallëzim, aktrim, imitim të gjesteve ose shprehjeve, të luajnë sport, të vrapojnë, të lëvizin dhe të kërcejnë.

Inteligjenca intrapersonale

Dallon ata që e njohin veten më mirë. Këta fëmijë pëlqejnë të punojnë në mënyrë të pavarur, të vendosin qëllime dhe të fokusohen në arritjen e tyre, të kuptojnë ndjenjat e tyre dhe të njohin pikat e forta dhe të dobëta të tyre.

Inteligjenca natyraliste

Lidhet me tërheqjen ndaj çështjeve mjedisore, bimëve dhe kafshëve. Njerëzit me këtë lloj inteligjence kënaqen duke bërë aktivitete të tilla si kampingu, ecja, kujdesi për kafshët, mësimi për natyrën, riciklimi dhe kujdesi për mjedisin.

Inteligjenca Muzikore

Është tipike për fëmijët me një aftësi të lindur për të mësuar tinguj të ndryshëm. Ato përkthehen në një aftësi të madhe për të kënduar, dëgjuar muzikë, për të luajtur instrumente, për të kompozuar këngë, për të shijuar koncerte dhe për të ndjekur ritme të ndryshme. Kjo lloj inteligjence mund të vërejë nota jo të buta që të tjerët nuk i bëjnë dhe mund t’i mësojnë lehtësisht këngët dhe meloditë.

Duke ditur më shumë për llojet e inteligjencave, ju mund të bëni zgjedhje më të mira karriere.